Panairi i 10-të i 1 Qershorit, organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, që do të çelë siparin me 31 maj 2018 dhe për tre ditë me radhë pranë Pedonales në Tiranë ngjit për herë të parë në skenë ata fëmijë të cilët kanë një ëndërr apo, kanë një talent.

Festivali Veror i Fëmijëve që do të zhvillohet nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në bashkëpunim edhe me Bashkinë e Tiranës, sjell për herë të parë një atmosferë krejt ndryshe për fëmijët e kryeqytetit.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, zoti Nikolin Jaka në një konferencë për shtyp ku ishin të pranishëm anëtarët e jurisë dhe përfaqësues të bashkisë theksoi rolin e këtij aktiviteti, u shpreh se ky event  u jep mundësi fëmijëve të shkollave publike të kryeqytetit të ngjiten në skenë dhe të shfaqin talentin e tyre. “Është një event që zhvillohet për kënaqësinë e fëmijëve që janë edhe e ardhmja e këtij vendi. Unë jam i bindur se ata na japin edhe shpresën që ne të duam e të punojmë më shumë për këtë vend”, tha Jaka.

Një komision i përbërë nga 3 anëtarë të fushës së artit do të vlerësojë edhe të gjithë fëmijët që do të spikasin në aktivitetet kulturore që do të mbahen, pikturë, muzikë, kërcim, apo instrument.

Robert Radoja, anëtar i komisionit i cili më shumë se çerekun e jetës së tij  ia ka kushtuar fëmijëve e vlerësoi organizimin e këtij panairi, pasi siç u shpreh ai “mendohet për një grup fëmijësh që se kanë zgjedhur si profesion artin, por e kanë hobi për të krijuar një ëndërr të bukur”.

Dhe ky kontribut për të krijuar këtë gjë kaq të vlefshme për fëmijët, shtoi mjeshtër Radoja, i orienton që të krijojnë imazhe të bukura, mendime të bukura dhe ëndrra pa dyshim.

“Mes gjithë këtyre fëmijëve mund të ndodhë siç edhe ka ndodhur gjithmonë që rastësisht dalin edhe njerëz të cilët bëhen të famshëm në zgjedhjen e tyre të jetës”, deklaroi ai.

Ndërsa anëtarja tjetër e jurisë, Suzana Turku e cilësoi si mjaft të vlefshëm këtë projekt për edukimin e brezit më të ri që ka Tirana, që janë fëmijët.

“Çdo aktivitet që bëhet për fëmijët duhet të jetë i vlerësuar nga të gjithë dhe ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës të bëhen pjesë e këtij aktiviteti që padyshim do të jetë Festa e Tiranës gjatë tre netëve që do të zhvillohet”, deklaroi Turku.

Sipas saj, ky event nuk do të jetë një konkurs, por ditë feste për Tiranën ku performojnë fëmijët që do të vijnë nga shkollat publike, pra janë amatorë që e duan artin, janë fëmijë që kohën e lirë nuk e zënë duke luajtur, por e zënë duke mësuar një instrument, ose duke kënduar, vallëzuar apo edhe vizatuar.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiramës, Abaz Hado njëkohësisht edhe anëtari i jurisë vuri në dukje se kjo iniciativë e përbashkët e Dhomës së Tregtisë dhe Bashkisë së Tiranë përkon me politikat që kemi për fëmijët.

Sigurisht, shtoi ai, kjo është vetëm pjesë e një mundësie që në 1 qershor fëmijët jo vetëm të gëzojnë por të kenë mundësi edhe të marrin një çmim që të kenë një kujtim të bukur nga kjo ditë.

Drejtorja e Kulturës në Bashkinë e Tiranës, Juli Dhamo theksoi se ka çmime të shumta për fituesit, sepse “ne duam t’i stimulojmë ata që nuk janë profesionistë, por që kanë dëshirë dhe kanë talentin brenda vetes duke u ofruar një skenë ku të performojnë”.

Festivali Veror i Talenteve ka mbledhur rreth tij shumë fëmijë të moshave të ndryshme. Në fazën e aplikimit që u mbyll me 28 maj ishim më shumë se 100 kërkesa për t’u bërë pjesë e këtij eventi në disiplina të ndryshme. Po kështu janë dhe kompanitë pjesëmarrëse në këtë panair që do të sjellin shumë argëtim për fëmijët dhe vlerësime për ta. Pedonalja për tre ditë me radhë do të jetë një vend i dedikuar për fëmijët për të shpalosur talentin e tyre.

Fëmija fitues i Festivalit do të ketë mundësinë të udhëtojë për në Disneyland.

Starton Festivali i Femijeve